Festivali “Hapat” nisi me dy shfaqje: “Të parët dhe të fundit” në sallën Black Box, Universiteti i Arteve dhe “Yjësitë” në TKEKS. Drejtuesi i Teatrit Eksperimental, Gjergj Prevazi dhe 10 regjisorët pjesëmarrës në festivalin teatror në nisje të “Hapave” mbajtën një konferencë për mediet, e cila filloi me mbajtjen e një minute heshtjeje për “Nderin e Kombit”, Mirush Kabashi. Sipas drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, përmes festivalit “Hapat” shihet dhe perspektiva e regjisë dhe aktrimit. “Nëpërmjet këtij festivali ne arrijmë të selektojmë vlera dhe të shohim perspektivën e regjisë aktrimit dhe të gjithë elementëve të tjerë përbërës të teatrit”, u shpreh Prevazi. Festivali teatror “Hapat” është faza finale e “Fondi të Teatrit për të Rinj”. Çdo mbrëmje, deri të dielën, do të jepen nga dy shfaqje në ditë. Mbrëmjen e sotme është radha e “Zot” dhe “M’i gjeni këngët e rinisë”. Më 10 dhjetor është mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve te “ArTurbina”.