Të huajt kanë investuar rreth 83 milionë euro në prona në tremujorin e dytë të këtij viti, duke regjistruar kështu një rekord të ri historik, njofton Scan Tv. Në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti, shifra totale e investimit të të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri fiksohet pranë 142 milionë eurove. Rritja është e konsiderueshme. Krahasuar me 6 muajt e parë të vitit të kaluar, rritja fiksohet kështu pranë 79.7%, sinjalizojnë shifrat zyrtare, ndërkohë që nëse krahasimin e bëjmë me vitin 2019-të, para pandemisë, të huajt kanë investuar për prona në Shqipëri rreth 181% më shumë. Deri në 6-mujorin e parë të këtij viti, stoku total i investimeve të të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri fiksohet në 931 milionë eurove. Në tremujorin e parë të vitit 2014 kjo shumë ishte vetëm 75 milionë eurove. Kjo shifër përkthehet në rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Nëse do ta krahasonim me totalin e tregut, pronat e të huajve në Shqipëri, përfaqësojnë rreth 1.6% të tij. Aktorë të tregut shprehen se tendenca për blerje nga të huajt, sidomos në zonat bregdetare, dhe veçanërisht nga vendet e Europës lindore ka qenë në rritje të ndjeshme gjatë 2 viteve të fundit. Kjo tendencë ka nxitur së tepërmi sektorin e ndërtimit dhe të real estate, duke shtyrë gjithashtu për një rritje të çmimeve, duke qenë se kërkesa është e lartë dhe e qendrueshme. Rritja e ndjeshme e investimeve në prona në Shqipëri nga të huajt në tremujorin e dytë të vitit ka nxitur gjithashtu një rritje domethënëse të peshës së këtij tregu në “tortën” e investimeve të huaja direkte në Shqipëri sipas sektorit. Aktivitetet në pasuri të paluajtshme” tashmë zënë rreth 9% të totalit të IHD-ve si stok në Shqipëri, nga rreth 8.5% që ishte kjo peshë në tremujorin e parë të vitit.https://lajme.rtsh.al/artikull/te-huajt-931-mln-euro-prona-ne-shqiperi