Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar disa masa për kreditimin e pasurive të patundshme për individët.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko deklaroi sot në konferencën për mediet se, “masat kishin të bënin me vendosjen një tavani për kredinë në raport me vlerën e banesës apo pronës si kolateral dhe një tavan midis këstit të kredisë dhe të ardhurave të kredimarrësit. Gjithashtu, dhe një rekomandim lidhur me maturimin e kredisë, kryesisht për individët huamarrës që arrijnë moshën e pensionit”.
Më konkretisht, tha Sejko: Tavani për vlerën e kredisë ndaj kolateralit për kreditë në monedhën Lek do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë ose të dhënë me qira, ndërsa në valutë do të jetë përkatësisht 75% dhe 70% për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit.
Tavani i këstit ndaj të ardhurave për kreditë në monedhën Lek do të jetë 40% për blerjen e shtëpisë së parë dhe 35% për blerjen e një shtëpie të dytë ose për dhënie me qira. Për kreditë në valutë ky kufi përcaktohet në 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpitë e tjera.
Sejko shpjegoi se, këto janë masa që Banka e Shqipërisë i merr për sektorin bankar për të standardizuar aktivitetin kredidhënës gjatë procesit të kredidhënies, por duhet të kemi parasysh që vetë bankat gjatë këtij procesi këto tavane i kanë dhe më të ulëta se këto nivele.
Në përgjithësi, shpjegoi ai, po t’i referohemi të dhënave të aktiviteti kredidhënës nga bankat tregtare, raporti i vlerës së kredisë ndaj kolateralit që aplikojnë bankat është mesatarisht rreth 70%.
Sejko deklaroi se, Banka e Shqipërisë ka vendosur një tavan maksimal që përfshin aktivitetin aktual kredidhënës dhe nuk përbën një pengesë në procesin e kredidhënies. Banka e Shqipërisë në rolin e saj si autoritet rregullator ka detyrë të monitorojë tregun dhe të marrë masa për të standardizuar procesin.