Duke filluar nga periudha tatimore mars 2023, librat e shitjes dhe blerjes për tatimpaguesit e përshirë në TVSH, nuk do të ngarkohen manualisht në format excel nëpërmjet e-Filing, por do të transferohen automatikisht në e-Filing nëpërmjet Fiskalizimit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se ky zhvillim i ri mundëson transferimin e të dhënave të librave automatikisht në E-filing, pasi tatimpaguesit t’i kenë mbyllur ato, në portalin SelfCare, nga data 1-10 te muajit pasardhës. DPT informon se tatimpaguesit përpara se të kryejnë mbylljen e librave në portalin Selfcare, duhet të verifikojnë të dhënat e transaksioneve dhe të kryejnë saktësimet përkatëse. “Librat e shitjes dhe blerjes që nuk mbyllen nga tatimpaguesit deri në datën 10 të çdo muaji, do të dorëzohen automatikisht nga sistemi në datë 11”, bën të ditur DPT. Nëse për periudhën e deklarimit, tatimpaguesi nuk ka mundur të kryejë saktësimin e të dhënave të faturave në libra apo i ka mbyllur ata para datës 10 dhe ka marrë edhe fatura të tjera (psh. fatura të shërbimeve utilitare), tatimpaguesi ka mundësinë që të korrigjojë të dhënat e librave manualisht, nëpërmjet llogarisë në E-filing. “Korrigjimi i librave duhet të kryhet vetëm në ato raste kur tatimpaguesi mund të vërtetojë mospërputhjen e të dhënave të librave në Selfcare me ato që deklaron. Deklarata e TVSH-së do të vijojë të kryhet manualisht, sipas të dhënave të deklaruara në librat e shitjes dhe blerjes”, bën të ditur administrata tatimore. atsh