Administrata Tatimore ka nisur një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese të drejtuar ndaj tatimpaguesve që merren me tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Kjo nismë synon të kontribuojë në formalizimin e tregut, të rrisë sigurinë ushqimore dhe të mbrojë konsumatorin.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për një periudhë dyjavore do të zhvillohet faza sensibilizuese, gjatë së cilës tatimpaguesit do të informohen mbi detyrimin ligjor për të shoqëruar çdo produkt me faturë tatimore të fiskalizuar.
Pas kësaj faze, një taskforcë e posaçme, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe të monitorimit në terren, do të fillojë kontrollet për të verifikuar respektimin e këtyre detyrimeve.
DPT paralajmëron se çdo rast i konstatimit të mungesës së faturës do të shoqërohet me masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Fushata synon të forcojë zbatimin e ligjit dhe të vendosë barazi fiskale ndërmjet tatimpaguesve, duke rritur gjithashtu transparencën dhe besimin në zinxhirin e furnizimit ushqimor”, bën të ditur DPT.