TATE Modern i dedikohet Frida Kahlo-s me një super ekspozitë verore

0
6

Ekspozita fton vizitorët të hyjnë në universin e artistes meksikane, duke zbuluar historinë e Frida Kahlo e cila u shndërrua në një nga piktoret më me ndikim të shekullit të 20-të dhe një ikonë ndërkombëtare e identitetit, aktivizmit dhe kulturës pop.

Në qendër të ekspozitës janë mbi 30 vepra të rëndësishme të Kahlo-s që paraqesin të ashtuquajturat “shumësit e saj”: artisten moderne, aktivisten politike, intelektualen dhe bashkëshorten e përkushtuar. Ekspozita shoqërohet nga veshje origjinale, bizhuteri, fotografi dhe objekte personale, si dhe mbi 200 vepra të artistëve bashkëkohës të saj dhe krijuesve që u frymëzuan prej saj, për të treguar ndikimin afatgjatë të figurës dhe estetikës së Kahlo-s.

Fundi i ekspozitës i kushtohet fenomenit të njohur si “Fridamania”, periudha kur imazhi, stili dhe personaliteti i artistes u shndërruan në një markë globale. Mbi 200 objekte komerciale që mbajnë portretin dhe simbolikën e saj ilustrojnë mënyrën se si figura e Kahlos u bë pjesë e kulturës botërore, nga moda te pop-art-i.

Ekspozita, do të organizohet nga Museum of Fine Arts, Houston në bashkëpunim me Tate Modern, mbështetetur nga “Bank of America”, si partner global.

Si risi e sezonit, Tate Modern do të prezantojë gjithashtu një menu me yll Michelin të frymëzuar nga Frida Kahlo, duke sjellë një dimension të ri kulturor që lidhet me origjinën, traditat dhe imagjinatën e artistes.

“Frida: The Making of an Icon” pritet të tërheqë mijëra vizitorë nga e gjithë bota, duke e kthyer Tate Modern në një nga destinacionet më të vizituara kulturore të verës.