“Taste of Albania”: Cilësi shqiptare e certifikuar me standardet europiane

0
1

 “Taste of Albania” nuk janë thjesht çokollata, por një kombinim i trashëgimisë, cilësisë dhe shijeve autentike shqiptare, të mbështetura nga skemat evropiane të certifikimit të produkteve tradicionale.

Të tilla produkte të certifikuara janë molla e Dvoranit (TGJM); mjalti i Bedunicës (STG); glikoja e arrës së Përmetit (STG); vaj ulliri Valmi (TGJM); kumbulla e thatë e Shumbatit (STG); gështenja e Malësisë së Madhe (TGJM).

Ndërsa ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj theksoi se produktet tradicionale shqiptare përfaqësojnë trashëgiminë kulinare dhe një potencial të rëndësishëm ekonomik për prodhuesit vendas në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

“Çdo copëz e këtyre produkteve lidhet me shijet e vërteta shqiptare, që përfaqësojnë jo vetëm një pasuri kulturore dhe kulinare, por edhe potencialin ekonomik të prodhuesve të vegjël vendas, duke i afruar gjithnjë e më shumë me tregjet e brendshme dhe ato ndërkombëtare,” u shpreh ministrja Denaj.

Në funksion të rritjes së eksporteve dhe promovimit ndërkombëtar, Ministria e Bujqësisë po zbaton politika mbështetëse për certifikimin, paketimin dhe përmirësimin e zinxhirit të vlerës për produktet lokale.

Prodhuesit e certifikuar përfitojnë gjithashtu nga lehtësirat në pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare, akses në grante, si dhe promovim përmes platformave digjitale të tregtisë agro-ushqimore, duke krijuar kështu më shumë mundësi për eksport dhe zhvillim rural të qëndrueshëm