Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, i shoqëruar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, vizitoi qendrën e KQZ-së të votimit nga jashtë.

Drejtorja e Votimit nga Jashtë, Jona Josifi, e njohu atë me gjithë procesin që nga mbërritja e votës, hapja e zarfit dhe ndarja e materialeve në kutitë përkatëse për t’u numëruar, pas përfundimit të procesit të votimit në Shqipëri, paralelisht me votat e tjera.

Në një prononcim për RTSH-në, ambasadori u shpreh shumë i befasuar me nivelin e profesionalizmit me të cilin është organizuar mbledhja e votave nga jashtë vendit.

Sa i takon çështjes së fshehtësisë së këtyre votave, Tarran tha se nuk kishte asnjë shqetësim për sa i përket punës së KQZ-së, por theksoi se fshehtësia e votës është në radhë të parë në dorën e vetë zgjedhësve që votojnë nga jashtë.

Pjesëmarrës në këtë vizitë ishte edhe Këshilltari i Lartë Politik i Ambasadës së Suedisë (Embassy of Sweden in Tirana) në vendin tonë, Viktor Gunnarsson Popovic. Qeveria suedeze është një nga partnerët e rëndësishëm të KQZ Shqipëri, me një ndihmesë të konsiderueshme në jetësimin e votimit nga jashtë.