Shtetet e Bashkuara do t’u kërkojnë vizitorëve ndërkombëtarë të paguajnë një të ashtuquajtur “tarifë integriteti vize” prej të paktën 250 dollarësh, e shtuar në kostot ekzistuese të aplikimit për vizë, sipas një dispozite në projektligjin e miratuar së fundmi nga administrata Trump për politikat e brendshme, siaps CNN.

Tarifa do të zbatohet për të gjithë vizitorët që duhet të marrin viza joimigruese për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Kjo përfshin shumë udhëtarë për argëtim dhe biznes, studentë ndërkombëtarë dhe vizitorë të tjerë të përkohshëm.

Në vitin fiskal 2024, SHBA-të lëshuan gati 11 milionë viza joimigruese, sipas shifrave të Departamentit të Shtetit.

Turistët dhe udhëtarët e biznesit nga vendet që janë pjesë e Programit të Heqjes së Vizave, përfshirë Australinë dhe shumë vende evropiane, nuk kërkohet të marrin viza për qëndrime prej 90 ditësh ose më pak.

Pagesa do të kërkohet në kohën kur lëshohen vizat dhe nuk do të ketë heqje të tarifave.

”Udhëtarët që përmbushin kushtet e vizës së tyre mund t’i rimbursojnë tarifat e tyre pasi të ketë mbaruar udhëtimi”, sipas dispozitës.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare, agjencia që vendos tarifën e re, ende nuk ka ofruar detaje specifike në lidhje me procesin e rimbursimit ose ndonjë aspekt tjetër të zbatimit të politikës.

“Tarifa e integritetit të vizës kërkon koordinim mes agjencive para zbatimit”, tha një zëdhënës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në një deklaratë për CNN.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se tarifa u vendos “për të mbështetur prioritetet e administratës për forcimin e zbatimit të imigracionit, parandalimin e tejkalimeve të vizave dhe financimin e sigurisë kufitare”.

”Tarifat që nuk rimbursohen do të depozitohen në fondin e përgjithshëm të Thesarit”, thuhet në dispozitën e projektligjit.

Tarifa i nënshtrohet rregullimeve vjetore për inflacionin.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se detajet në lidhje me ndryshimin, të zbatuar nga DHS, do të postohen në faqen e informacionit për vizat të Departamentit të Shtetit.