Italia po teston një projekt të diskutueshëm për të zvogëluar drejtimin e automjeteve në gjendje të dehur dhe për të zvogëluar numrin e aksidenteve fatale automobilistike që kanë shkaktuar viktima së fundmi në të gjithë vendin. Projekti i nisur fundjavën e kaluar para diskove dhe klubeve të natës në gjashtë qytete italiane ofron udhëtime falas me taksi për të pranishmit në festë, si një masë për të shmangur drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit. Nisma po zbatohet në disa rajone, nga rajoni jugor Puglia në rajonin verior Veneto dhe është planifikuar të vazhdojë deri në mes të shtatorit. Projekti parasheh që individët, të cilët duken veçanërisht të dehur kur dalin nga klubet, t’u kërkohet t’i nënshtrohen një testi alkooli. Nëse testi tregon se nivelet e alkoolit tejkalojnë kufirin ligjor, do të thirret një taksi ose për t’u siguruar atyre një udhëtim të sigurt për në shtëpi. Skema është propozuar nga lideri i krahut të djathtë dhe zv/kryeministri Matteo Salvini, i cili është ministër i transportit i Italisë dhe ka qenë aktiv në fushatat për të parandaluar drejtimin në gjendje të dehur dhe për të garantuar sigurinë në rrugët italiane. Megjithatë, nisma është kritikuar gjerësisht nga opozita e majtë dhe shoqatat që përfaqësojnë viktimat e aksidenteve automobilistike. Kritikët kanë sugjeruar se skema rrezikon të shpërblejë konsumin e tepërt të alkoolit tek të rinjtë, ndërsa disa qytetarë u ankuan se taksat e tyre do të kontribuonin në financimin e këtij lloji të transportit. Në vend të kësaj, propozimi u mbështet nga disa shoqata të argëtimit të natës në të gjithë Italinë. Zv/kryeministri Salvini në rrjetet sociale mbrojti idenë, duke thënë se “për të ndaluar masakrën, duhet të përfshihemi të gjithë në drejtim të parandalimit”. Sipas të dhënave nga policia italiane të publikuara nga Këshilli Evropian i Sigurisë së Transportit, në vitin 2019 rreth 8,7 për qind e 58.872 aksidenteve rrugore me lëndime të raportuara në Itali përfshinin të paktën një shofer nën ndikimin e alkoolit. ATSH
Taksi falas për të evituar drejtimin e automjetit në gjendje të dehur
RELATED ARTICLES