Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMITaksa e ndikimit në infrastrukturë ulet në 1% të vlerës së investimit

Taksa e ndikimit në infrastrukturë ulet në 1% të vlerës së investimit

Komisioni për Ekonominë dhe Financat në mbledhjen e tij të radhës miratoi sot tre projektligje të rëndësishme ekonomike. Komisioni shqyrtoi projektligjin “Për një ndryshim dhe disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar”, nismë e deputetit Eduard Shalsi. Projektligji ishte shqyrtuar dhe miratuar parimisht më herët nga komisioni dhe në mbledhjen e sotme u vijua me shqyrtimin e tij nen për nen dhe në tërësi. Në nisje të diskutimit Shalsi paraqiti një propozim për përfshirjen në lehtësimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë edhe për objektet sportive. Sipas projektligjit, taksa e ndikimit në infrastrukturë për strukturat që ndërtohen për funksion bujqësor dhe blegtoral, si dhe për objektet sportive, duhet të jetë jo më shumë se 1% e vlerës së investimit, ndërsa për bashkinë e Tiranës jo më shumë se 2 %. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës. Rendi i ditës vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Projektligji i parë u prezantua nga Olta Manjani, zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, e cila sqaroi risitë dhe ndryshimet e parashikuara, duke parashtruar se projektligji ndër të tjera parashikon mbulimin me elemente të sigurimeve shoqërore të një kategorie personash me profesion në fushën e teknologjisë së informacionit, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në një fushë specifike, sikurse janë tekno-parqet; lehtësimin nga barra e pagesës së kontributeve të një kategorie përfituesish të pensionit të pleqërisë që vetëpunësohen si të vetëm në sektorin privat; etj. Projektligji i dytë u prezantua nga Vjollca Braho, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila parashtroi se qëllimi i projektligjit është aplikimi i lehtësirave në masën e bazës së llogaritjes së kontributit të sigurimeve shëndetësore të një kategorie personash, me profesion në fushën e teknologjisë së informacionit, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në një fushë specifike sikurse janë tekno-parqet, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi. Deputetja Blerina Gjylameti, në cilësinë relatores së dy projektligjeve, vlerësoi rëndësinë e nismave dhe sqaroi ndër të tjera se zhvillimet teknologjike kanë transformuar tregun e punës e, për rrjedhojë, edhe mënyrën e të punuarit, duke sjellë nevojën e përshtatjes konkrete të sistemit të mbrojtjes shoqërore dhe shëndetësore. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen sipas sugjerimeve të relatores, në tërësi dy projektligjet dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare të radhës. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments