Veprimtaria u organizua nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, pjesë e Akademisë së Shkencave. Në takim ishte i ftuar nderi profesor emeritus Brian D. Joseph për të bërë prezantimin e veprës së tij të re “The Balkan Languages” (Gjuhët ballkanike).
Vepra është kontribut i përbashkët i dy autorëve të shquar amerikanë, profesorëve të merituar, Brian D. Joseph dhe Victor A. Friedman, botuar nga Cambridge University Press, 2025.
Drejtuesi i takimit, prof. asoc. Aristotel Spiro, vlerësoi marrëdhëniet e qëndrueshme të miqësisë intelektuale dhe bashkëpunimin që kanë ndërtuar të dy autorët me komunitetin tonë shkencor ndër vite, të cilët zgjodhën vendin tonë për promovimin e parë të veprës në rang botëror.
Për librin “The Balkan Languages” ai vuri në dukje se është fryt i një bashkëpunimi dhe kërkimi më se tridhjetëvjeçar nga dy prej figurave më të rëndësishme të gjuhësisë ballkanike, që sjell një qasje të re: Përtej përshkrimeve klasike të “ballkanizmave”, ajo ofron një analizë të thelluar të mekanizmave historikë, shoqërorë dhe dialektorë që kanë ndikuar në formimin e Lidhjes Gjuhësore Ballkanike.
Në këtë kuadër, gjuha shqipe zë një vend qendror jo vetëm si një nga gjuhët më të vjetra të rajonit, por edhe si një nga kontribuueset kryesore në formimin dhe përhapjen e veçorive që quhen sot “ballkanizma”, si për shembull, përdorimi i nyjës së prapme shquese, ndërtimet analitike të kohëve, humbja ose dobësimi i paskajores apo strukturat e pronësisë.
Në veprën e tyre, Friedman dhe Joseph theksojnë rolin aktiv të shqipes jo vetëm si përfituese, por edhe si burim dhe ndërmjetëse në kontaktin ndërgjuhësor. Libri përçon një qasje të ekuilibruar dhe kritike, me një optikë ndërkombëtare, larg pasioneve lokaliste, e cila u jep zë edhe gjuhëve më pak të përfaqësuara, si gjuha rome ballkanike, turqishtja, torlakishtja apo judezmoja.
Botimi i kësaj vepre është një moment i rëndësishëm për gjuhësinë shqiptare dhe për gjithë fushën e studimeve ballkanike. Ai afirmon rëndësinë e shqipes jo vetëm si objekt studimi, por si kontribuuese aktive në historinë komplekse të kontakteve gjuhësore në Europën Juglindore.
Profesor emeritus Brian D. Joseph shprehu mirënjohjen për albanologët shqiptarë e të huaj, të cilët e kanë ndihmuar për hulumtimet akademike dhe kërkimet në terren.