Kënga “Ta dish” u vlerësua me çmimin e parë në edicionin e 10-të të Festivalit “Luleborë”. Kënga u interpretua nga Glerdit Turmetaj dhe ishte me muzikë dhe tekst të Leon Lekaj.

Edicioni i 10-të i “Luleborës” i paraqiti publikut 15 këngë të reja. Ky edicion solli emocione, art dhe mbi të gjitha muzikën qytetare shkodrane. Por ishte Glerdit Turmetaj ai që rrëmbeu zemrat e publikut dhe të jurisë, e cila përbëhej nga Osman Mula, Bashkim Alibali, Eli Fara, Armando Lika dhe Rosela Gjylbegu.

Drejtues artistikë të Festivalit të Këngës “Luleborë” ishin sopranoja Inva Mula dhe kompozitori dhe mjeshtri i korit, Zef Çoba.

Fituesi falenderoi organizatorët për përkushtimin dhe profesionalizmin e veçanërisht publikun e mrekullueshëm të Shkodrës, që i dhuroi dashuri dhe mbështetje gjatë të dy netëve të festivalit. Kënga fituese u vlerësua për finesën melodike, emocionin e brendshëm dhe interpretimin plot ndjeshmëri.