David Szalay u bë autori i parë hungaro-britanik që fiton çmimin prestigjioz letrar ”Booker”.

Romani i tij “Flesh”, një rrëfim që eksploron klasat shoqërore dhe pushtetin, u përshkrua si një roman i jashtëzakonshëm dhe i veçantë nga kryetari i jurisë, Roddy Doyle.

Një fragment nga libri, i interpretuar nga reperi Stormzy, u shfaq në ceremoninë e Londrës, në të cilën morën pjesë të ftuar të famshëm, përfshirë aktorin e “The White Lotus” Jason Isaacs, komedianen Sara Pascoe, Ruth Jones të “Gavin And Stacey” dhe komedianin veteran Lenny Henry.

Szalay, i cili në vitin 2016 ishte në listën e ngushtë të fituesve me “All That Man Is”, ka marrë 50 000 paund dhe një trofe, të cilin ia dorëzoi fituesja e vitit të kaluar, Samantha Harvey.

Vepra e gjashtë thriller e autorit, një meditim mbi pushtetin, rrëfen jetën e adoleshentit Istvan nga Hungaria, i cili kalon nga ushtria në shoqërinë e super të pasurve të Londrës.

Szalay tha se “ky nuk ishte domosdoshmërisht një libër shumë i lehtë për t’u shkruar. E fillova menjëherë pasi braktisa një roman tjetër dhe kështu , siç mund ta imagjinoni, kishte një ndjenjë shumë të madhe presioni për ta bërë këtë libër të mirë sepse mendoj se ndërsa mund të jetë në rregull të braktisësh një roman, braktisja e dy romaneve do të ishte mjaft e vështirë për mua që ta përballoja psikologjikisht”.

“Dhe nuk e kam përballuar gjithmonë aq mirë presionin. Nuk e kam përballuar gjithmonë me aq hijeshi dhe mençuri”, shtoi ai.

Szalay, i cili ka lindur në Kanada dhe ka jetuar në Mbretërinë e Bashkuar, Liban, Hungari dhe Vjenë, më parë i tha emisionit “Front Row” të BBC Radio 4 se donte të shkruante një libër që shtrihej mes Hungarisë dhe Londrës dhe përfshinte një personazh që nuk ndihej rehat në asnjërin vend.

Ish-fituesi i çmimit ”Booker”, Doyle, tha “juria diskutoi gjashtë librat në listën e ngushtë për më shumë se pesë orë”