Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, reagoi pas njoftimit për arrestimin e një serbi të dyshuar për krime lufte në Kamenicë. Sveçla u shpreh se Krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim. “Drejtësia për secilin akt ç’njerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme”, shkroi Sveçla. Ministri i Brendshëm shtoi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. “Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, vijoi Sveçla. Prokuroria Speciale njoftoi se i pandehuri Z.A., i arrestuar sot, dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë. Po ashtu, sipas Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluar të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ia ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë. atsh
Sveçla: Krimet as nuk i harrojmë e as nuk i falim
RELATED ARTICLES