Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVASveçla: 3 agresorë të vrarë dhe 6 të arrestuar

Sveçla: 3 agresorë të vrarë dhe 6 të arrestuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se nga aksioni i sotëm janë ekzekutuar nga Policia e Kosovës tre agresorë dhe janë arrestuar 6 të tjerë pjesë e grupit të armatosur prej 30 personash. Këtë deklaratë ministri Sveçla e bëri pas vizitës që kreu në vendin ku u sulmua patrulla policore dhe ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku dhe një polic tjetër u plagos. Më herët ministri i Brendshëm deklaroi se përpjekja e Policisë së Kosovës për të vendosur rendin, ligjin dhe sigurinë në veri të vendit nuk do të ndalet. Ai shprehet se efektivi i policisë, Afrim Bunjaku ra mëngjesin e sotëm në krye të detyrës në mbrojtje të sovranitetit integritetit territorial të vendit. “Rreshter Afrim Bunjaku ra sot në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës. Ne zotohemi, që lufta dhe përpjekja e Afrimit dhe gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për rend, ligj dhe siguri në veri të vendit nuk do të ndalet. Lavdi Heroit Afrim Bunjaku”, ka shkruar Sveçla në Facebook. Ndërkaq, njësia Speciale e Policisë së Kosovës është futur brenda Manastirit të Banjskës dhe ka marrë nën kontroll ndërtesën ku ndodhej grupi kriminal serb i armatosur së bashku me dhjetëra pelegrinë. Ata janë shoqëruar në stacionin e policisë në jug të Mitrovicës për të verifikuar identitetin e tyre. Gjithashtu, bëhet e ditur se është gjetur sasi e madhe e armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë Manastirit. Ndërsa i arrestuari më parë nga Policia e Kosovës mësohet se është B.S., i lindur në vitin 1992, nga Mitrovica e Veriut, pjesëtar i Mbrojtjes Civile.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments