Kryeministri britanik Rishi Sunak do të presë liderët evropianë në Pallatin Blenheim të Anglisë në korrik për të diskutuar mbështetjen për Ukrainën dhe parandalimin e migrimit të paautorizuar. Sunak njoftoi sot se samiti i Komunitetit Politik Evropian (EPC) do të zhvillohet më 18 korrik. Britania e Madhe nuk është më anëtare e BE-së, por EPC është një grupim më i gjerë nga i gjithë kontinenti. “Jam i kënaqur që Britania e Madhe do të presë takimin e ardhshëm të Komunitetit Politik Evropian në Pallatin historik Blenheim, tha Sunak duke shpallur datën e samitit.
“Është një forum i rëndësishëm për bashkëpunim në të gjithë Evropën për çështjet që po na prekin të gjithëve, duke kërcënuar sigurinë dhe prosperitetin tonë”, tha ai. “Nga mbështetja jonë e plotë për Ukrainën deri tek ndalimi i plagës së kontrabandës së njerëzve dhe migracionit të paligjshëm nën drejtimin e Britanisë së Madhe, takimi do të bashkojë miqtë, partnerët dhe fqinjët tanë evropianë për të adresuar sfidat tona të përbashkëta”, tha Sunak. Udhëheqësit e EPC u takuan për herë të parë në tetor 2022 në Pragë dhe për herë të fundit u mblodhën në Granada, Spanjë, në tetor 2023