Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka pranuar se rritja e normave të interesit është e vështirë për britanikët, por u zotua se qeveria do të qendrojë e palëkundur në betejën për të frenuar inflacionin pasi Banka Qendrore e Anglisë njoftoi një rritje shokuese në 5%. Banka rriti papritur normat e interesit me gjysmë pikë përqindjeje, në nivelin më të lartë në pothuajse 15 vjet, ndërsa politikëbërësit dhe qeveria e Britanisë së Madhe janë vënë nën presion për të kontrolluar krizën e kostos së jetesës. Masa pritet të thellojë krizën e hipotekave pasi kostot e huamarrjes janë rritur për të 13-tën herë radhazi. “Arsyeja që normat e interesit po rriten është sepse inflacioni është shumë i lartë dhe ne duhet ta ulim atë”, tha Sunak në samitin e “Times” në Londër. “Kjo i bën të gjithë më të varfër, këtë e shkakton inflacioni. Kjo është arsyeja pse ne duhet ta kapim atë, ne duhet ta ulim atë dhe normat e interesit janë pjesë e kësaj”, shtoi ai. “Qeveria do të qëndrojë e palëkundur në kursin e saj dhe do t’i përmbahet planit të saj për ta bërë këtë”, tha Sunak. Rritja me 0,5 pikë përqindje ishte rritja më e mprehtë që nga shkurti, duke befasuar ekonomistët të cilët kishin pritur një rritje më të vogël prej 0,25 pikë përqindjeje. Vendimi për rritjen e normës së interesit vjen pas rritjes së inflacionit në maj, pasi rritja e vazhdueshme e çmimeve i detyroi politikëbërësit të ndërmerrnin masa në një përpjekje për të ulur inflacionin në objektivin prej 2%. atsh