Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS. Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se “ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”. Në 15 korrik, vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Nga hetimi rezultoi se agresioni kibernetik u orkestrua dhe sponsorizua nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave vendosi në 7 shtator ndërprerjen me efekt të menjëhershëm të marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.http://ata.gov.al/2022/09/10/rama-sulm-kibernetik-mbi-sistemin-tims-nga-te-njejtet-agresore/