Më 2 shkurt të vitit 1924, lindi aktori i madh i skenës dhe i ekranit, Sulejman Pitarka, “Artist i Popullit”. Kushtet ekonomike e detyruan familjen e tij të shpërngulej nga vendlindja, Dibër e madhe dhe të vendosej në Durrës. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai i braktis punen si llogaritar, për t’iu përkushtuar teatrit. Ka luajtur më shumë se 50 role me trupën e Teatrit Kombëtar, në gjininë e dramës dhe të komedisë. Ndërsa, imazhi i tij u përjetësua në kinematografinë shqiptare përmes një galerie prej 20 rolesh, mes të cilëve sjellin ndërmend interpretimin e Zheleznovit në “Ballë për ballë” (1979), të Xha Avdiut tek “Gjeneral gramafoni” (1978), të Xha Lipes te “Pas gjurmëve” (1978), të gjeneralit te “Gunat përmbi tela” (1977) etj. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Po ashtu, është autor i dramës për fëmijë “Trimi i mirë me shokë shumë”, ku trajtohet figura e Skënderbeut. Roli i tij i fundit ishte në dramën “Pjata prej druri” e Edmond Morris, vënë në skenë nga regjisori Gëzim Kame në vitin 2004, në rolin e plakut të braktisur. Rol për të cilin në Festivalin “Apollon 2005” u shpall “Aktori më i Mirë” i festivalit, titull që ju dha edhe në Festivalit të Teatrove në Dibër të Madhe në vitin 2006. Pitarka u nda nga jeta në vitin 2007. ATSH