Publiku priti me duartrokitje, në TKOB, shfaqjen “Carmina Burana”, një kombinim i baletit dhe operës. Për të dyja datat e shfaqjes, biletat u shitën në kohë rekord. “Carmina Burana”, me muzikën e Carl Orff, e koreografinë e Youri Vamos, bëri bashkë mbi 200 artistë në skenë. Solistët, Orkestra Simfonike, Trupa e Baletit, Kori i TKOB-së, Kori i Zërave të Bardhë dhe Formacioni Vokal i Forcave të Armatosura e sollën këtë vepër në TKOB. Kasti i parë solli në rolin e virgjëreshës, Adela Muçollarin, në rolin e djalit, Anxhelo Muçollarin, arrogantët u interpretuan nga Erald Zela dhe Ervis Koçeku, hipokriti nga Elton Merja, egoja nga Dion Gjinika dhe gruaja nga Jonida Qafmolla.
Po aq i suksesshëm ishte edhe kasti i dytë me Odeta Dishnica, Anxhelo Muçollari, Erald Zela, Ervis Koçeku, Enred Mjolli, Dion Gjinika etj. Në këtë vepër interpretuan edhe solistët Rovena Xhelili, soprano, tenori Matias Xheli dhe baritoni Armando Likaj. “Carmina Burana” është kompozuar nga gjermani Carl Orff në vitin 1936. Libreti i saj është një përmbledhje poezish të gjetura në një dorëshkrim të shekullit XIII, i ardhur nga kuvendi Benediktbeuern në Gjermani. “Carmina Burana” nis me kantatën skenike “O Fortuna”, e cila konsiderohet një klasik i historisë së muzikës.