Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, vijon të jetë e hapur deri më 30 maj, thirrja për aplikime në 8 masat mbështetëse të Skemës Kombëtare në Bujqësi 2025.
Sipas AZHBR-së, për fermat e certifikuara organike vlera e mbështetjes është 200,000 lekë.
Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.
Sipas kritereve që ka miratuar qeveria për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.
Fermat organike janë të certifikuara me Global GAP dhe operojnë në sektorin e prodhimit të mjaltit, perimeve, bimëve mjekësore etj.
Bujqësia organike në Shqipëri po zhvillohet gjithmonë e më tepër, duke sjellë jo vetëm produkte cilësore në treg, por edhe fitime më të larta për fermerët.
Fermat me prodhim organik kanë dyert e hapura drejt eksportit, duke mundësuar rritjen e konkurrueshmërisë dhe modernizimin e sektorit.
Vitin e kaluar Skema Kombëtare mbështeti 170 fermerë për zhvillimin e fermave organike.