Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në ditën e parë të vitit të ri akademik zhvilluan një protestë kundër ligjit për punësimin 5 vite në vend. Me pankarta në duar dhe të veshur me bluzat e bardha studentët e mjekësisë refuzuan të futen në auditore deri sa të anulohet ligji. Studentët kundërshtojnë ligjin e ri, i cili i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas mbylljes së studimeve. Ata e cilësojnë këtë ligj në shkelje të të drejtave themelore të tyre, si ajo e të drejtës për të zgjedhur se ku duan të ushtrojnë profesionin e tyre. Në 6 korrik Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin për “Trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”. Përmes tij qeveria vendosi detyrimin për studentët e mjekësisë të punojnë të paktën 2-5 vite pas diplomimit në Shqipëri, ose në të kundërt të paguajnë një tarifë që përkon me koston për arsimimin e tyre.