Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT), në bashkëpunim me Universitetin prestigjioz Humboldt të Berlinit, po zhvillojnë një praktikë të përbashkët mësimore gjermano-shqiptare që do të vijojë deri më 1 tetor 2025.
Rektori i UBT, Fatbardh Sallaku u shpreh se, ky aktivitet akademik është pjesë e një kursi praktik në terren të detyrueshëm për studentët gjermanë, me fokus në tematika bujqësore dhe mjedisore, dhe përbën një shembull konkret të ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë në Shqipëri.
Në këtë praktikë marrin pjesë studentë të ciklit “Bachelor” dhe pedagogë nga Universiteti Humboldt, të cilët po vizitojnë disa zona të Shqipërisë në kuadër të ekspeditës kërkimore dhe praktike. Ata shoqërohen nga studentë të nivelit “Bachelor” dhe “Master” të UBT-së, të cilët po përfshihen aktivisht në të gjitha aktivitetet dhe vizitat në terren.
Ekspedita parashikon tri ndalesa në zona të ndryshme të vendit, ku studentët do të angazhohen në analiza mjedisore dhe bujqësore, si dhe në diskutime ndërdisiplinore për çështje të zhvillimit të qëndrueshëm rural. Aktivitetet do të shërbejnë si një platformë bashkëpunimi për shkëmbim përvojash, qasje metodologjike dhe zhvillim profesional për të rinjtë nga të dyja universitetet.
Procesi do të mbikëqyret nga Prof. Dirk Pflugmacher dhe Prof. Daniel Müller nga Universiteti Humboldt i Berlinit, si dhe nga Dr. Olsid Mema nga Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Kjo praktikë e re do të shërbej për nxitja e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërkombëtar në fushat e bujqësisë dhe mjedisit; zhvillimin e aftësive praktike dhe kërkimore të studentëve; promovimin e shkëmbimit ndërkulturore dhe dialogut akademik ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë si dhe do të japë kontribut në përgatitjen e profesionistëve të rinj të orientuar drejt zgjidhjeve të qëndrueshme.
Ky aktivitet forcon rolin e Universitetit Bujqësor të Tiranës si një aktor i rëndësishëm në rrjetin e bashkëpunimeve akademike ndërkombëtare dhe rikonfirmon rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në hapësirën evropiane të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.