Strategjia synon ta zhvendosë sektorin nga eksporti i lëndëve të para të papërpunuara drejt rritjes së përpunimit dhe vlerës së shtuar brenda vendit, duke e pozicionuar Shqipërinë si furnizues të besueshëm të lëndëve të para kritike për tregun evropian, si kromi, nikeli, bakri, boksiti, titani, fosforiti dhe mangani. Objektivat kryesore përfshijnë përdorimin e qëndrueshëm të burimeve minerare, integrimin në zinxhirët e furnizimit të BE-së, rritjen e sigurisë mjedisore dhe në punë, si dhe nxitjen e inovacionit dhe digjitalizimit në aktivitetet minerare.

Strategjia parashikon një rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare për sektorin minerar, veçanërisht në fazën e parë 2026-2030, e lidhur me procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent. Sipas vlerësimeve, për periudhën 2026-2040 nevojiten investime totale nga 12,35 miliardë lekë deri në 19,47 miliardë lekë, ose nga rreth 115 milionë euro deri në 181 milionë euro, në varësi të skenarit të zgjedhur për ritmin e zgjerimit të investimeve.

Vetëm në fazën 2025-2030, parashikohet një financim prej rreth 5,9 miliardë lekësh, ekuivalente me afro 55 milionë euro, ose mesatarisht rreth 11 milionë euro në vit, pothuajse dyfish më i lartë se buxheti mesatar historik vjetor i sektorit, i cili ka qenë rreth 5,1 milionë euro. Këto fonde do të orientohen kryesisht drejt modernizimit teknologjik, digjitalizimit të monitorimit minerar, kërkim-zbulimit gjeologjik, si dhe standardizimit të burimeve sipas klasifikimit ndërkombëtar UNFC.

Në fazën e dytë, për periudhën 2031-2040, buxheti vjetor për sektorin parashikohet të rritet me rreth 3% në vit, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale dhe vijueshmërinë e investimeve, veçanërisht në infrastrukturën minerare, riciklimin dhe zhvillimin e zinxhirit të plotë të vlerës për lëndët e para kritike dhe strategjike.

Financimi i strategjisë do të mbështetet në një kombinim burimesh, ku 40-50% e kostove pritet të mbulohen nga buxheti i shtetit, 25-35% nga fondet e Bashkimit Evropian dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë, ndërsa 15-25% nga investimet private, sidomos në përpunim, riciklim dhe projekte strategjike të lëndëve të para kritike. Ky angazhim financiar synon ta çojë sektorin minerar nga një industri kryesisht nxjerrëse drejt një sektori me vlerë të shtuar, më të sigurt për punonjësit dhe më të qëndrueshëm për mjedisin, duke konsoliduar rolin e tij në ekonominë kombëtare deri në vitin 2040.