Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se strategjia kombëtare e zhvillimit të turizmit 2024-2030 pritet të mbyllet në pranverën e këtij viti. Në deklaratën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Kumbaro përmendi gjithashtu disa nisma që i japin rëndësi statistikave të dedikuara si një organizëm i rëndësishëm për të pasur të dhëna të sakta. “Është diskutuar në tryeza konsultimi dhe po ecet paralelisht me dy nisma ligjore dhe administrative si Strategjia Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit 2024-2030, e cila ka nisur në vitin e kaluar dhe do të mbyllet brenda këtij viti”, tha Kumbaro. Kumbaro bëri të ditur se “një tjetër program që po e bëjmë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit është ai për metodologjinë e re të statistikave në turizëm, për ta përafruar atë me metodologjinë ndërkombëtare të miratuar nga Organizata Botërore e Turizmit”. “Të gjitha këto nisin në kuadër të një promovimi shumë të rëndësishëm në turizëm siç është pjesëmarrja e Shqipërisë në panairin e Madridit, po ashtu në Berlin me një lajm shumë të rëndësishëm dhe iniciativë të re ku do shpallet Shqipëria si vend i nderit nga 2024-2025 dhe ku akti final i këtij promovimi do jetë marsi 2025, ku Shqipëria do të jetë vend i nderit në panairin e Berlinit”, nënvizoi Kumbaro. Ministrja Kumbaro tha se “në prill për herë të parë do të mirëpresim mbledhjen e Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit ku do të marrin pjesë 40 ministra të turizmit nga i gjithë kontinenti europian”.
Strategjia kombëtare e zhvillimit të turizmit përfundon në pranverë
RELATED ARTICLES