Strategji e re për administratën publike, 2023-2030

0
19

Në mbledhjen e radhës së Nënkomisionit për Administratën Publike u zhvillua një dëgjesë me Albana Koçiu, Drejtoreshë e Përgjithshme e Departamentit të Administratës Publike (DAP), lidhur me konstatimet dhe rekomandimet e lëna në progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2022 lidhur me shërbimin civil. Në fjalën e saj, Koçiu bëri një ekspoze të punës së bërë nga DAP për reformimin e administratës publike, si një fushë prioritete për procesin e integrimit në BE. “Parimet e administratës publike në të 6 fushat kryesore në të cilat mbështetet diskutimi, kanë të bëjnë thelbësisht me kornizën strategjike të reformës së administratës publike; zhvillimin dhe koordinimin e politikave; shërbimin civil dhe menaxhimin e burimeve njerëzore; llogaridhënien; ofrimin e shërbimeve publike dhe menaxhimin e financave publike. Këto janë 6 parimet kryesore mbi të cilat ne vlerësohemi nga KE për përgatitjet që administrata publike ka në kontekstin e anëtarësimit”, sqaroi Koçiu, duke shtuar se, që prej shtatorit të vitit të kaluar DAP ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësuesit e BE për shpjegimin e të gjithë procesit dhe mënyrës se si vendi do të vlerësohet në këtë aspekt, arritjet, sfidat dhe objektivat. Në vijim, Koçiu u shpreh se, DAP është në pritje të një raporti vlerësues të të gjithë procesit të deritanishëm, në mënyrë që më pas të draftohet një udhërrëfyes mbi punën dhe angazhimet që duhen ndërmarrë në kuadër të reformimit të administratës publike. Ndër të tjera, drejtuesja e DAP theksoi se, po punohet edhe për strategjinë e re të administratës publike 2023-2030, për të cilin po bashkëpunohet me SIGMA-n, që është një instrument i rëndësishëm i KE. “Të dyja do të na shërbejnë për të konsideruar të gjitha ato çështje të cilat janë në fakt të një rëndësie shumë të madhe, kur vjen puna tek mënyra se si organizohen dhe funksionojnë institucionet e administratës publike, tek përgatitja e nëpunësve publik, tek mënyra sesi hartohen dhe koordinohen politikat, tek ajo që quhet përgjegjësia menaxheriale e secilit nëpunës , tek ofrimi i shërbimeve publike dhe padyshim tek menaxhimi i financave publike”, u shpreh Koçiu, duke shpjeguar rëndësinë e dy dokumenteve strategjike mbi të cilat do të punojë në vijim DAP. Më pas Koçiu u ndal në rekomandimet e lëna nga KE, duke sqaruar masat e marra, të cilat janë vlerësuar edhe nga SIGMA, lidhur me procedurën e rekrutimit, dixhitalizimin dhe rritjen e transparencës së të gjithë procesit; rekrutimin e TND, iniciativat për reformën e skemës së pagave, përshkrimet e vendeve të punës, vlerësimin e performancës, etj. Më pas Koçiu iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me trajnimin e vazhdueshëm të nëpunësve publikë, vlerësimet e punës, sfidën për tërheqjen e profesionistëve në administratën publike, etj. ATSH