Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se ”Rusia e ka humbur Ukrainën përgjithmonë” si rezultat i luftës dhe nuk do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e saj, pavarësisht një përpjekjeje masive ushtarake që nga pushtimi, në shkurt të vitit të kaluar. “I gjithë qëllimi i këtij pushtimi ishte të parandalonte Ukrainën të lëvizte drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ukraina tani është më afër NATO-s dhe Bashkimit Evropian se kurrë më parë”, tha ai. “Kjo është një humbje e madhe strategjike për Rusinë”, theksoi ai. ”Presidenti Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë”, tha Stoltenberg duke iu referuar faktit se Rusia e shihte Ukrainën si pjesë të sferës së saj të ndikimit për dekada. Ish-kryeministri norvegjez është i sigurt se Ukraina do të arrijë përfundimisht qëllimin e saj për t’u bashkuar me NATO-n. Ai gjithashtu vuri në dukje se Rusia po paguante një çmim jashtëzakonisht të lartë për luftën e saj. “Rusia ka humbur qindra avionë, mijëra tanke luftarake dhe 300 000 viktima. Ekonomia e tyre është më e dobët. Ata janë politikisht më të izoluar”, tha ai. “Inflacioni është rritur, standardet e jetesës janë ulur”, shtoi Stoltnberg. Megjithatë, Stoltenberg paralajmëroi kundër llogaritjes në një fund të shpejtë të luftës, duke thënë se ai nuk kishte asnjë tregues se Putini do të ndryshonte kursin, edhe pas rizgjedhjes së tij të pritshme më 17 mars.