Ka një nevojë jetike dhe urgjente që SHBA të vendosë për një paketë për Ukrainën, sepse Kievi ka nevojë për atë mbështetje, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih. ”Nëse shikoni mbështetjen për Ukrainën, aleatët evropianë e kanë dhënë atë, në gjithsej, më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Stoltenberg.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë shumë, por mungesa e një vendimi në Kongresin amerikan ka një ndikim të drejtpërdrejtë në frontin në Ukrainë”, shtoi ai. Stoltenberg iu përmbajt idesë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të bëjnë thjesht atë që kanë premtuar. “Çdo javë që kalon do të thotë që më shumë njerëz do të vriten në vijën e frontit në Ukrainë”, shtoi ai. “Është e rëndësishme të themi se nuk shohim një kërcënim të menjëhershëm për çdo aleat të NATO-s”, i tha ndërkohë Stoltenberg gazetares së CNN-it, Christiane Amanpour në një intervistë.
