Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, krahasuar me fundin e vitit 2025, stoku i kredisë u tkurr me 4,4 miliardë lekë, ndërsa në terma vjetorë mbetet në rritje me 11,6%.

Zhvillimet e muajit të parë të vitit tregojnë një ngadalësim të huadhënies së re. Bankat disbursuan gjithsej 28,3 miliardë lekë kredi gjatë janarit, 11% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rënia u ndikua kryesisht nga segmenti i individëve. Kredia e re për këtë kategori arriti në 8,7 miliardë lekë, në rënie me 8% në bazë vjetore. Tkurrja lidhet me reduktimin e huave në euro, si për blerje banesash ashtu edhe për konsum, ndërsa kreditimi në lekë vijoi zgjerimin.

Nga ana tjetër, bizneset përfituan 19,5 miliardë lekë kredi të reja, në nivele të përafërta me janarin e vitit të kaluar. Edhe në këtë segment u vu re rritje e huadhënies në monedhën vendase dhe rënie e asaj në euro.

Në terma vjetorë, portofoli i kredisë për individët u zgjerua me 18,3%, ndërsa për bizneset me 7,9%, duke reflektuar një ecuri ende pozitive të financimit të ekonomisë, pavarësisht frenimit të muajit janar.