Forcat Ajrore Shqiptare dhe “106th Rescue Wing” e Shteteve të Bashkuara zhvilluan një stërvitje të përbashkët në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes forcave aleate të NATO-s.

Sipas një postimi të ambasadës së ShBA-së në Tiranë, stërvitja u fokusua në trajnime praktike për furnizimin me karburant të helikopterëve, duke synuar rritjen e aftësive operacionale dhe gatishmërisë për reagim në situata krize.

“Bashkëpunim në veprim në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. 106th Rescue Wing u trajnua me helikopterë të Forcave Ajrore Shqiptare gjatë një ushtrimi për furnizim me karburant, duke forcuar aftësitë që mbajnë forcat e NATO-s gati për çdo mision”, thekson ambasada e ShBA.

Trajnimi shërbeu për të përmirësuar koordinimin dhe reagimin e shpejtë ndërmjet forcave ajrore të dy vendeve, si dhe për të testuar procedurat e përbashkëta në kushte reale operimi.

Ambasada amerikane vlerësoi se këto ushtrime kontribuojnë drejtpërdrejt në mbajtjen e forcave të NATO-s të përgatitura për çdo mision.

“Ky trajnim praktik forcon ndërveprimin, përmirëson reagimin e shpejtë në kohë krize dhe tregon partneritetin e ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Së bashku, po ndërtojmë një NATO më të gatshme për luftime”, thuhet në postim.