Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIStatus “strategjik”, propozohet shtyrja e afatit të ligjit deri në fund të...

Status “strategjik”, propozohet shtyrja e afatit të ligjit deri në fund të 2027

Projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për investimet strategjike”, i propozuar nga kryetari I Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi pritet të nisë shqyrtimin në Kuvend. Projektligji propozon zgjatjen e afatit të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e në zbatim të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, deri në datën 31 dhjetor 2027. Përmes ndryshimeve të propozuara synohet të rritet në mënyrë të konsiderueshme vlera minimale e projekteve të investimit, të cilat aplikojnë për status strategjik në sektor të klasifikuar strategjik. Po ashtu, detajohet procedura e paraqitjes së dosjes së projektit dhe vlerësimit të saj, duke përmirësuar afatet e shqyrtimit dhe duke theksuar përgjegjësinë që ka ministri linjë. Në relacionin shoqërues bëhet e ditur se prej viti 2015 kur është miratuar ky ligj e deri sot janë miratuar 40 projekte investimi strategjik, që ende janë në proces zhvillimi, me një trend rritës për vit, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. “Nga viti 2016 e deri tani janë trajtuar 88 projekte investimi, prej të cilave 40 kanë përfituar status strategjik, 14 projekte janë refuzuar, 34 projekte janë në fazë vlerësimi. Pjesa më e madhe e këtyre projekteve janë në sektorin e turizmit ose turizëm i integruar. Duke qenë se interesi i subjekteve është ende shumë i lartë për këtë paketë ligjore dhe fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat të larta, me qëllim shmangien e krijimit të këtij boshllëku ligjor, si dhe të pasojave që mund të krijohen prej tij, është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri në datën 31 dhjetor 2027”, thuhet në relacion. Ligji parashikon si investime strategjike, investimet private, publike ose publiko-private, në sektorë të ndryshëm si energjia dhe minierat, transporti, telekomunikacioni, infrastruktura dhe mbetjet urbane, turizmi, bujqësia dhe peshkimi, zonat ekonomike, zonat me prioritet për zhvillim.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments