Ylli amerikan i rock-ut, Bruce Springsteen sulmoi ashpër administratën e presidentit të SHBA-së Donald Trump për dërgimin e Gardës Kombëtare dhe marinsave në Los Anxheles duke e quajtur qeverinë “të korruptuar, të paaftë dhe tradhtare”, gjatë një koncerti në Berlin.
“Amerika që unë e dua. Amerika për të cilën kam kompozuar, që ka qenë një dritë shprese dhe lirie për 250 vjet, është aktualisht në duart e një administrate të korruptuar, të paaftë dhe tradhtare”, i tha këngëtari audiencës së tij prej dhjetëra mijëra fansash në stadiumin olimpik të qytetit.
Ai tha se administrata Trump po dërgon ushtrinë amerikane në rrugët e Los Anxhelesit, bazuar në një premisë të rreme të një pushtimi të huaj.
Njerëzit kanë demonstruar në metropol për ditë të tëra, duke protestuar kundër politikave të ashpra të migracionit të Trump dhe bastisjeve të deportimit nga agjencia e Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Në përgjigje, qeveria amerikane mobilizoi 4 000 ushtarë të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa nga forcat e armatosura të rregullta për t’u vendosur në Los Anxhelos – kundër vullnetit të guvernatorit demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom.
Gjatë koncertit të parë të turneut të tij evropian, Springsteen iu rikthye vazhdimisht temave të demokracisë dhe lirisë.
Muzikanti, i cili publikoi albumin fitues të çmimit Grammy “Born in the U.S.A.” 41 vjet më parë, foli për disa minuta midis këngëve para fansave që brohorisnin për Shtetet e Bashkuara.