Një tjetër infrastrukturë spitalore që po rilind nga themelet me shërbime të shtuara dhe teknologji nga më modernet është Spitali Rajonal i Gjirokastrës, një godinë historike që shtrihet në një sipërfaqe prej 8600 m2, me të gjitha specialitetet si urgjenca, kirurgjia, pediatria, infektivi, radiologjia, patologjitë, në shërbim të 60 mijë banorëve të qarkut.“Spitali Rajonal i Gjirokastrës ka filluar punimet që në dhjetor të vitit që shkoi. Ka të parashikuara rehabilitim të plotë të një godine 4-katërshe, shumë e rëndësishme për të gjithë qarkun e Gjirokastrës. Është një investim që realizohet me fondet e buxhetit të shtetit me një vlerë prej 4,7 milionë euro. Parashikon rehabilitim në tri faza për arsye të mos ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore, pra të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, që është e rëndësishme dhe është një nga ato çështje në fakt që ne konsiderojmë sa herë që rikonstruktojmë godinat e spitaleve”, tha ministrja Koçiu.

Ajo sqaroi se spitali ofron shërbime për 60 mijë banorë të qarkut. “Këtu ku jemi aktualisht, jemi në shërbimin e pediatrisë, ndërkohë që godina është 4-katërshe, kati minus një ka shërbimin e radiologjisë, ndërkohë që kati i dytë dhe i tretë janë shërbimi i kirurgjisë. Ndërkohë që tashmë parashikohet rehabilitimi i plotë i godinës, plus pastaj edhe mobilimi dhe pajisjet me pajisjet e teknologjisë së fundit që do t’i japin mundësinë edhe të gjithë mjekëve që punojnë këtu, – janë 153 persona staf mjekësor që shërben në këtë spital, – ku 45 janë mjekë dhe pjesa tjetër janë staf infermieror, i cili shërben në 13 shërbime, shërbime kryesore si kirurgjia, patologjitë, infektivi, pediatria, kemi shërbimin e urgjencës”, detajoi ministrja Koçiu, teksa theksoi se, “parashikimi për të përfunduar punimet është 24 muaj”.