Spitali i ri ditor, pjesë e fazës së dytë të zbatimit të masterplanit për modernizimin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do t’u ofrojë shërbim të specializuar rreth 65 mijë pacientëve, që kanë nevojë për shërbime si dializë, toksikologji, alergologji, dermatologji, reumatologji dhe hematologji.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thekson se këta pacientë do të mund të marrin shërbim shëndetësor pa nevojën e hospitalizimit mbi 24 orë.

“Ky spital kombinon tre shërbime kryesore, hemodializën, dializën peritoneale dhe transplantin renal, duke siguruar qasje të lehtë, efikase dhe duke reduktuar kohën e pritjes për pacientët”, nënvizon ministrja Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Mjekja nefrologe, Vilma Çadri shprehet se spitali ditor është një strukturë e re dhe përbën një inovacion në aspektin e ofrimit të shërbimit shëndetësor .

“Është e rëndësishme se si me spitalin e ri ofrohet shërbimi për pacientin. Shërbimi ambulator është lokalizuar në katin e pare, çka e bën komode për pacientin duke pasur parasysh komplikacionet. Po ashtu ofrohen kushte optimale për sigurimin e shërbimit të dializës. Hapësira e bollshme ofron edhe mundësinë e menaxhimit të pacientëve, pasi janë dy hapësira në të cilat është organziuar shërbimi i dializës”, theksoi mjekja.

Njëkohësisht, vuri në dukje ajo, pacienti do të jetë i vëzhguar nga infermierët e mjekët, ndërsa kanë mundësinë e lajmërimit përmes butonit për çdo shqetësim apo kërkesë që do të ketë.

“Një tjetër risi në shërbimin e nefrologjisë është edhe Departmaneti i Mikrokirurgjisë që oforn shumë nga mikrokirurgjtë”, u shpreh mjekja Çadri.