Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunorë tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.
Vrojtimi në distancë nga qendra e vëzhgimit e ngritur enkas në parkun Divjakë-Karavasta ofron eksperiencë të papërsëritshme.
“Personazhi” kryesor i lagunës, pelikani kaçurrel impresionon turistët me ngjyrat e bardha, portokalli dhe gri, ndërsa pesha mesatare prej 11,5 kilogramë e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet.
Laguna e Karavastasë radhitet ndër lagunat me rëndësi për llojet shtegtare dhe si habitat i mbi 20,000 shpendëve dimërues.
Gjatë verës, laguna frekuentohet dhe nga shpendë të tjerë. Ajo është e njohur për koloninë e madhe të pelikanit kaçurrel, e vetmja pikë folenizimi bregdetar të Shqipërisë.
Ndalimi i gjuetisë për një periudhë të caktuar ka sjellë shtimin e dukshëm të kolonisë së pelikanëve, madje edhe të flamingove të cilët ishin tepër të rrallë.