Politikanët spanjollë nga sot mund të flasin në gjuhët rajonale në parlamentin e vendit, duke shënuar herën e parë në historinë e re të Spanjës. Ndërsa qeveria mblidhet sërish, politikanët lejohen të flasin gjuhën katalonjase, baske, valenciane ose galike, si gjuhë zyrtare të Spanjës. Vendimi u mor gjatë negociatave midis qeverisë së majtë në pushtet dhe partive rajonale. Kryeministri Pedro Sanchez ka nevojë për mbështetjen e tyre për të qëndruar në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme në korrik. Ndryshimi në fjalë do t’i kushtojë Spanjës 53 mijë euro, që është kostoja e blerjes së 650 kufjeve për politikanët, mysafirët dhe gazetarët për të dëgjuar përkthime simultane. Gjithashtu, do të punësohen përkohësisht 12 përkthyes. Politikanët mund të flasin gjuhë të tjera të pakicave në parlament, madje edhe ato që nuk njihen si zyrtare, si p.sh. asturiane. Qeveria në detyrë e Spanjës sot kërkoi të merrte miratimin e BE-së për të lejuar që katalonishtja, galicishtja dhe baskishtja të fliten edhe në nivel evropian. Vendet e BE-së kanë rënë dakord se u duhet më shumë kohë për të shqyrtuar propozimin spanjoll, i cili, për të kaluar nevojitet mbështetje unanime.