Skemë e re për menaxhimin e plazheve, në çdo 1 km do kemi 300 metra hapësirë publike

0
3

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit brenda javës tjetër do të paraqesë rregulloren e re të administrimit të plazheve.

Kështu deklaroi sot në në takimin vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

“Sipas vizionit të Strategjisë së Turizmit 2024-2030, për të siguruar një balancim më të drejtë mes interesit publik dhe interesit legjitim të subjekteve private që duan të zhvillojnë aktivitetet në turizëm, ku brenda javës tjetër do të paraqesim rregulloren e re të administrimit të plazheve”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “modeli i ri i menaxhimit të plazheve bazohet në parimin kryesor se shezlonget në vetvete nuk mund të jenë model parësor biznesi, por duhen trajtuar vetëm si një aksesor shtesë i strukturave akomoduese. Në çdo një kilometër plazh do të kemi 300 metra plazh publik, kjo është një sfidë shumë e madhe për ne për bashkitë”.

Prandaj, vijoi ajo, do të kemi shumë shpejt edhe VKM të menaxhimit të hapësirave të plazheve për vitin tjetër, ku do të ketë patjetër më shumë hapësira publike.

“Kolegët e bashkive duhet të angazhohen me të gjitha forcat në pastrimin e bregdetit, ku edhe këtë vit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështeti Shkodrën, Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën, Vlorën, Himarën dhe Sarandën në pastrimin e përditshëm të 93 kilometrave linearë, pastrimi është një betejë që e fitojmë çdo vit, por ende nuk kemi fituar luftën”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro informoi gjithashtu se “në Dhërmi, ku akoma po bëhet plazh, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Inspektoriati Kombëtar I Mbrojtjes së Territorit dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit kemi nisur projektin e sistemimit të hapësirave publike, që ridimensionon estetikisht bregdetin dhe që i paraprin një sezoni të ri, ku hapësirat i kemi konceptuar të jenë më të lira, pa çadra, shezlonë e baraka që bëjnë biznes shezlonësh”.

“Oferta gjithëpërfshirëse turistike e vendit ka ndryshuar edhe filozofinë e udhëtimeve, ku pushuesit nuk qëndrojnë vetëm në bregdet dhe turistët nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në muajt e verës për plazhet, por duan të eksplorojnë ofertën turistike përreth siç mund të jenë agroturizmet, sitet kulturore, shtigjet, festat e panairet lokale. Por sigurisht turizmin nuk e bën një institucion i vetëm, është një vizion ndërinstitucional që bashkon të gjithë sektorët drejt Shqipërisë Turistike 2030”, tha Kumbaro.