Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, parashikon që në muajin tetor të prezantojë Skemën Kombëtare të Investimeve për fermerët, me fokus ndërtimin e serave të mbrojtura nga breshri dhe investimet për blegtorinë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj njoftoi se në muajin tetor lançohet Skema Kombëtare e Investimeve për ndërtime të reja të serrave, fermave blegtorale, mekanikë bujqësore. Ajo vuri në dukje se skema përfshin edhe mbrojtjen ndaj breshërit, që ka qenë një situatë jo e pazakontë për disa zona të Shqipërisë verilindore në veçanti dhe që ka krijuar humbje.

Denaj thekoi se, kjo skemë siguron financim për fermerët 50% në formë granti.

Ndërkohë për skemën kombëtare të këtij viti aplikuan në total 71 mijë fermerë, ndërsa me rishikimin e buxhetit të shtetit të muajit gusht Denaj tha se është garantuar financim për të gjithë sektorin nga bujqësia, blegtoria e deri tek peshkimi.