Përmes kësaj skeme mbështeten fermerët për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve moderne për mekanizimin dhe përmirësimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale.

Aplikimi i mekanizimit dhe teknologjive të reja në bujqësi i ndihmon fermerët të rrisin produktivitetin dhe cilësinë e punës së tyre.

Sipas Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, vitin e kaluar kërkesat më të larta për financim përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, ishin për blerjen dhe përmirësimin e mjeteve dhe mekanikës bujqësore.

Qeveria përmes kësaj skeme financon 50% të vlerës totale të faturave tatimor, deri në 5 milionë lekë për subjekt.

Ky investim mbështet fermerët në modernizimin e bujqësisë dhe blegtorisë, për realizimin e punës në mënyrë më efikase dhe të sigurt, për të përmirësuar jetën dhe prodhimin e tyre

Skema Kombëtare e Investimeve 2025, përmbledh nëntë masa, që përfshin gjithë bujqësinë që nga mbjellja e fidanëve të pemëve frutore deri në përpunimin e fruta-perimeve. Këtu përmblidhen mekanika, blegtoria, ndërtimi i stallave, bletaria.

Aplikimet për të përfituar nga kjo skemë janë hapur më 30 korrik dhe do të vazhdojnë deri më 30 shtator 2025.

Ndërkohë vitin e kaluar nga 404 aplikime në Skemën Kombëtare të Investimeve 2024, 305 kërkesa janë për mekanikë bujqësore.