Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se “KESH është gjeneruesi shtetëror i energjisë elektrike dhe 79 % të energjisë që ne e përdorim në tregun tonë të brendshëm prodhohet nga KESH-i dhe HEC-et private”. Gjatë inspektimit të pastrimit të liqenit të Komanit, Balluku theksoi se, Shqipëria shumë shpejtë do të ketë burime të tjera të diversifikimit të energjisë. “KESH-i ka dhënë një shembull të mirë duke ndërtuar në digën e Vaut të Dejës panele diellore rreth 5 MWH, të cilat prodhojnë energji tashmë dhe ne i kemi futur në përdorim, dhe kështu do të vazhdojmë edhe në zona të tjera. Por në fokus të veçantë kemi parqet e mëdha fotovoltaike. Ka nisur ndërtimi i parkut të madh fotovoltaik i Karavastasë me 140 MWH dhe tashmë po bëhemi gati për parkun e dytë, atë të Spitallës, 100 MWH”, tha Balluku. Sipas saj, KESH-i sot ka në zotërimin e tij tre nga HEC-et më të mëdha, teksa kemi nisur punën me një nga kompanitë më të mëdha amerikane për studimin e mjedisit dhe dizenjimin e HEC-it të Skavicës. “Skavica nuk do të jetë vetëm HEC-i i katërt i kaskadës, por do të jetë një optimizues i kaskadës së Drinit. Kaskada e Drinit përveç rëndësisë në fushën e prodhimit të energjisë, luan rol të rëndësishëm në parandalimin e përmbytjeve dhe Skavica do të jetë një depozitues i burimit ujor, që do të na japë mundësi të menaxhojmë prodhimin e energjisë në HEC-et e tjera, ose duke përdorur panelet fotovoltaike që do të jenë pas dy vitesh në përdorim për 15 vite me nga 70 MWH (Karavasta e Spitallë), që do të jenë në posedim të KESH-it, duke na dhënë mundësi që në cilën kohë do të shpenzohen ai burim energjie dhe kush do të jetë ai që do të ruhet”, theksoi ministrja. Balluku vuri në dukje se, Shqipëria është i vetmi vend që prodhon energji të rinovueshme deri tani nga uji, por duke filluar nga viti tjetër do të prodhojnë energji diellore të konsiderueshme, teksa politikat e qeverisë po nxisin investimet për parqe të prodhimit të energjisë nga era, që është sistemi i tretë i rinovueshëm për prodhim energjie. “Vizioni ynë është avangardë. Shqipëria ka vite që aplikon Axhendën e Gjelbër, pasi Shqipëria synon të kthehet në një vend neto të eksportit të energjisë”, deklaroi Balluku.https://ata.gov.al/2022/07/20/balluku-skavica-mundesi-menaxhimi-per-prodhimin-e-energjise-ne-hec-et-e-tjera/