Akrolisi, ndryshe nga ç’ishte menduar më parë, nuk i përket epokës së Bronzit, por është një fortifikim i shekujve të pestë dhe të katërt para Krishtit.

“Akrolisi është konsideruar një fortifikim i kohës së bronzit. Nuk është i tillë. Është i periudhës protourbane të shekullit V–IV dhe përbën fillimet e qytetit të ardhshëm të Lezhës, i cili u zhvillua ku është sot kalaja, pak kohë më vonë, në fillim të shekullit të pestë dhe gjatë shekullit të katërt, për t’i dhënë jetë, në fund të shekullit të katërt, qytetit antik të Lezhës. Pra, kjo është një kronologji e re”, u shpreh arkeologu Neritan Ceka, në një prononcim për RTSH-në.

Zbulimet u prezantuan në takimin e grupit të punës, ku ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Pjerin Ndreu, i cili përsëriti kërkesën që parku arkeologjik të kalojë nën administrimin e pushtetit vendor.

Pas dokumentimit të zonave me potencial arkeologjik, pritet të nisin ekspeditat kërkimore. Qëllimi është që Lezha të kthehet në epiqendër të gërmimeve arkeologjike në vend.