Lionel Skaloni, trajneri i Argjentinës tre herë kampione e Botës, tashmë është drejt rinovimit të kontratës me bardhekaltrit. Teksa është kthyer në Majorka, atje ku jeton me familjen e tij, kuptohet pas festimeve në atdhe për titullin e fituar më 18 dhjetor, presidenti i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Klaudio Kiki Tapia, jep lajmin për tifozët: ka një marrëveshje, tani për tani vetëm verbale, mes palëve derisa Skaloni do të zgjasë kontratën e tij, që do të mund të përfundojë me mbylljen e vitit diellor. “Jemi të dy njerëz të fjalës, nuk ka problem – ka thënë Tapia gjatë zhvillimit të një aktiviteti festiv për fitimin e Kupës së Botës – pra nuk kam dyshime që do të vazhdojë të jetë trajneri i kombëtares së Argjentinës”. Kontrata e re do të duhet të jetë katërvjeçare, kjo deri në fund të vitit 2026. Skaloni ishte emëruar në krye të Argjentinës pas lamtumirës së Horge Sampaios, që kishte drejtuar bardhekaltrit në Botërorin zhgënjyes të Rusisë më 2018. E më pas nisi t’i konfirmonte rezultatet e tij me forcë në më pak se sa një vit duke fituar Kupën e Amerikës së Jugut e më pas dhe kompeticionin e ri, Finalisima, ndaj Italisë, kampione e Europës 2021. Tetë ditë më parë ka ardhur dhe triumfi si Kampion Bote, që ka bindur edhe më skeptikët e kombëtares së Argjentinës. Shkurt, Lionel Skaloni do të vijojë të jetë trajneri i Kampionëve të Botës. RTSH