Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako mblodhi sot Shtabin e Emergjencave për menaxhimin e situatës së reshjeve të shtuara nga mori i keq që ka përfshirë të gjithë vendin. Në mbledhje morën pjesë Prefekti dhe Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes Civile në nivel qarku, Emiljan Jani, përfaqësues të bashkive të qarkut, drejtuesit e strukturave të gatishmërisë së përhershme si Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës, M.Z.SH, Policia Bashkiake Në një postim në rrjetet sociale, Sako tha se, “në mbledhjen jashtë radhe të komisionit të mbrojtjes civile diskutuam mbi situatën dhe u rakordua mbi planin e masave parandaluese dhe lehtësuese për menaxhimin e situatës në orët në vijim, ku pritet të ketë reshje të dendura”. Sako shtoi se, “referuar njoftimit të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (I.GJ.E.U.M), si dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SH.M.U) parashikohet se duke nisur nga data 17.01.2023, ditët në vijim, do të karakterizohen nga reshje shiu (me intensitet në nivel mesatar – të lartë), dhe niveli i riskut për përmbytje është i lartë. Për shkak të këtij moti që mund të shkaktojë probleme te ndryshme ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin lëvizjet në këmbë apo me makinë, që nuk janë të domosdoshme, por të qëndrojnë në shtëpi”. “Bashkia e Durrësit është në gatishmëri dhe të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve janë në terren për të kryer mirëmbajtjet e duhura aty ku ka nevojë për ndërhyrje emergjente. Strukturat e bashkisë së Durrësit, ndërmarrja Rruga, policia bashkiake dhe ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve janë në gatishmëri maksimale për çdo problematikë që mund të hasni ju dhe familjet tuaja. Vijon kontrolli i vazhdueshëm i sistemeve të kanaleve kulluese dhe gjendjes funksionale të hidrovorëve, po monitorohet vazhdimisht argjinatura e lumenjve (Erzen dhe Ishëm), digat e ujëmbledhësve dhe të shkarkuesve katastrofikë, si dhe janë në gatishmëri të gjitha kapacitetet logjistike dhe burimet njerëzore të forcave operacionale për përballimin e çdo situate të mundshme”, shkroi Sako. ATSH
Situata e reshjeve: Bashkia e Durrësit në gatishmëri
RELATED ARTICLES