Vulat e pasaportave janë simbole nderi për shumë udhëtarë, sipas Euronews. Por, së shpejti ato mund të jenë një gjë e së kaluarës kur ata do të hyjnë në zonën Schengen. Sistemi i ri i automatizuar i hyrjes/daljes (EES), që do të nisë në nëntor 2023, do të regjistrojë vizitorët nga vendet joanëtare të BE-së në mënyrë digjitale duke hequr nevojën për vulat fizike. “EES do të zëvendësojë sistemin aktual të vulosjes manuale të pasaportave, i cili kërkon shumë kohë, nuk ofron të dhëna të besueshme për kalimet kufitare dhe nuk lejon zbulimin sistematik të atyre që kanë kaluar qëndrimin”, thuhet në një deklaratë nga Departamenti i Migracionit dhe Çështjeve të Brendshme të Komisionit Evropian. EES do të jetë një sistem i automatizuar për regjistrimin e udhëtarëve nga vendet e treta që janë të përjashtuar nga viza ose kanë viza afatshkurtër. Sa herë që një person kalon një kufi të jashtëm të BE-së, sistemi do të regjistrojë emrin e tij, llojin e dokumentit të udhëtimit, të dhënat biometrike (gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës) dhe datën dhe vendin e hyrjes dhe daljes. ATSH