Në dy kopshte publike në Bashkinë e Përmetit u instaluan dy sisteme diellore fotovoltaike, me financim nga Qeveria e Japonisë.

Në ceremoninë zyrtare të dorëzimit morën pjesë ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kato Kikuko, përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Monica Merino, kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha dhe përfaqësues të tjerë bashkiakë. Ky event shënoi një pikë të rëndësishme në tranzicionin e bashkisë drejt energjisë së qëndrueshme dhe të rinovueshme.

Sistemet e reja diellore të instaluara, me një kapacitet të kombinuar prej 100 kWp, pritet të kursejnë afërsisht 31,428 euro në vit në kosto energjie për dy kopshtet. Këto instalime janë pjesë e një projekti më të gjerë që përfshin instalimin e dhjetë sistemeve në ndërtesa publike në Shkodër, Dibër, Klos dhe Përmet, me një total prej 542 kWp. Këto sisteme do të reduktojnë emetimet e karbonit me afërsisht 20,000 ton gjatë 25 viteve të tyre të funksionimit dhe do të ofrojnë energji të pastër për rreth 2,124 fëmijë, zyrtarë publikë dhe qytetarë.

Projekti “Transformimi i tregut për përshpejtimin e energjisë diellore fotovoltaike në Shqipëri”, financohet nga Qeveria e Japonisë dhe zbatohet nga UNDP-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë për Eficencën e Energjisë, pushtetin lokal dhe OSHEE. Projekti ka për qëllim të përshpejtojë kalimin e Shqipërisë drejt burimeve të energjisë së rinovueshme.

Me një financim prej 859,000 USD nga Japonia, projekti mbështet angazhimet klimatike të Shqipërisë sipas Marrëveshjes së Parisit.

Ambasadorja e Japonisë, Kikuko, theksoi se “Objektivi i këtij projekti është të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të reduktuar emetimet e karbonit dhe për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike në një mënyrë të qëndrueshme. Instalimi i sistemeve diellore fotovoltaike në bashkitë e Shqipërisë, përfshirë Përmetin, do të diversifikojë burimet e energjisë së Shqipërisë përtej hidrocentraleve, duke reduktuar kështu varësinë e vendit kryesisht nga një burim i vetëm energjie”.

Sipas saj, kjo do të garantojë një furnizim të besueshëm me energji elektrike dhe do të lehtësojë rritjen e qëndrueshme ekonomike në vend, duke avancuar gjithashtu Kontributin Kombetar te Përcaktuar të Shqipërisë (NDC) për ndryshimet klimatike.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, tha se, “ky projekt shënon një përparim të rëndësishëm drejt arritjes së Kontributit Kombëtar të Përcaktuar. Do të reduktojë emetimet e gazeve serrë me mbi 20,000 ton. Nga ky projekt do të përfitojnë drejtpërdrejt më shumë se 2,000 persona”.

Projekti jo vetëm që mbështet instalimin e sistemeve të energjisë diellore, por gjithashtu promovon mbështetje të politikave dhe zhvillimin e aftësive për të rritur penetrimin e energjive së rinovueshme në Shqipëri.

Në përputhje me qëllimet e përcaktuara në COP26, UNDP përmes nismës së premtimit klimatik, rikonfirmoi përkushtimin e saj për të mbështetur vendet në përkthimin e objektivave të Planit të Veprimit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar (NDC) në nisma të zbatueshme. NDC-ja e përmirësuar e Shqipërisë, e dorëzuar në tetor 2021, tregoi një përkushtim të vendosur për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë dhe pranimin e zgjidhjeve të energjisë së pastër.

Potenciali transformues i energjisë diellore është tashmë i dukshëm përmes dhjetë projekteve pilot të zbatuara në bashkitë Dibër, Klos, Shkodër dhe Përmet, duke rezultuar në përmirësimin e aksesit në energji diellore për mijëra qytetarë shqiptarë.