Sipërfaqja e akullit të detit në Antarktidë ka arritur nivelin më të ulët rekord më 8 shkurt. “Të dhënat satelitore kanë regjistruar një sipërfaqe te akullit prej vetëm 2.2 milionë kilometrash katrorë që mbulon Oqeanin Jugor”, sipas Institutit Alfred Wegener (AWI) në Gjermani. Ky është niveli më i ulët i sipërfaqes së akullit që nga fillimi i regjistrimit në 1979, ndërsa periudha e shkrirjes së verës pritet të vazhdojë deri në fund të muajit. Rekordi i mëparshëm ishte sipërfaqja prej 2.27 milionë kilometra katrorë, rreth një vit më parë, më 24 shkurt 2022. Gjatë vitit, sipërfaqja e akullit të detit në Antarktidë arrin kulmin në shtator ose tetor dhe arrin një pikë të ulët në shkurt. “Në kulmin e saj, në përgjithësi mbulon deri në 20 milionë kilometra katrorë”, sipas AWI, duke u shkrirë në rreth 3 milionë kilometra katrorë, në verë. Në gjashtë vitet e fundit, lindja dhe perëndimi i Gadishullit Antarktik kanë përjetuar temperatura gjithnjë e më të ngrohta të ajrit. Është e paqartë nëse sipërfaqja e akullit do të mbetet e qëndrueshme. Biologia detare, Franziska Saalmann e organizatës mjedisore “Greenpeace” tha se niveli i ri rekord tregon se kriza klimatike vazhdon të përshkallëzohet. “Kjo na prek të gjithëve, dhe është një turp që vazhdojnë të planifikohen sipërmarrje të reja të karburanteve fosile”, tha ajo. atsh
Sipërfaqja e akullit në Antarktidë në nivelin më të ulët rekord
RELATED ARTICLES