Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, në bashkëpunim me Forumin e Profesoratit ka vendosur thirrjen e një tubimi kombëtar universitar në 22 shkurt para Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës. Kreu i kësaj sindikate Sandër Kovaçi, tha sot se “në vijimësi të përmbushjes së misionit tonë akademik si dhe të zotimit që të gjithë bashkë kemi bërë “për një arsim cilësor dhe në shërbim të shoqërisë”, përgjatë këtyre muajve kemi ndjekur shqyrtimin, nga ana e autoriteteve publike, të kërkesave të peticionit tonë”. Kovaçi u shpreh se “deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë, në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor, dëshmon mungesën e njohjes, por dhe ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitete dhe në gjithë shoqërinë tonë”. “Jo pa indinjatë po sjellim përsëri në vëmendjen tuaj kërkesat e peticionit dhe heshtjen provokuese ndaj tyre, por dhe qëndrimin tonë unanim ndaj prepotencës së kabinetit qeverisës në disa ndërhyrje në vendime ndaj IAL: Mbetet ende pa përgjigje kërkesa jonë për shtesën e pagës për vjetërsinë në punë, shtesë e cila duhet të kishte filluar të zbatohej, që në janar 2023; vazhdon të mbetet pa përgjigje kërkesa për njohjen dhe kompensimin për dëmshmërinë në punë të stafit ndihmës akademik dhe administrativ. Ndërkohë që kjo kategori nuk ka marrë as shtesën prej 8 %, pasi u la jashtë VKM-së së datës 5 tetor 2022. Në kushtet e një mosrregullimi të këtij problemi, një zgjidhje do të ishte rritja me një kategori në listën e klasifikimit të pagave”, theksoi Kovaçi. Kovaçi tha se “ende nuk ka marrë formë kërkesa për rivlerësimin e orës mësimore. Tërheqim vëmendjen dhe ngremë fort zërin se ndryshimet e propozuara për VKM 112/2018, “Për Përcaktimin e Kritereve për Fitimin e Gradës Shkencore “Doktor” dhe të Standardeve Shtetërore për Fitimin e Titujve Akademikë “Profesor i Asociiuar” dhe “Profesor”, do duhet të bëhen për të mundësuar në çdo rast, promovimin akademik dhe karrierën për stafin akademik, duke rritur mbështetjen financiare për punën dhe veprimtarinë shkencore e kjo gjithmonë në funksion të nxitjes dhe rritjes akademike të stafeve për punë dhe veprimtari shkencore mbi të gjitha me ndikim dhe në shërbim të shoqërisë shqiptare”. Më tej, Kovaçi u shpreh se “zbatimi i VKM-së, “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, do të sjellë po ashtu mbylljen shumë shpejt të disa nga universitetet e rretheve, gjë që shumë shpejt do të sjellë dhe shpopullimin dhe varfërimin e këtyre qendrave nga elitat intelektuale, që tradicionalisht janë zhvilluar në këto universitete. Përqendrimi i të gjitha programeve të studimit në Tiranë, duke mbyllur ato të rretheve, është një tjetër shqetësim i punonjësve të universiteteve publike”. “Secili prej kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, nënshkrues të peticionit, e dimë se ekziston gjithmonë një zgjidhje për çdo problem njerëzor. Qëllimi ynë është që studentët tanë të bëhen studiues të suksesshëm në rrugëtimin e jetës. Qeveria po dëshmon se nuk i do studentët e me sa po duket, e do këtë vend dhe pa fare rini”, tha Kovaçi. atsh