Saturday, October 19, 2024
HomeSOCIALESigurim jete për disa kategori punonjësish të Policisë Ushtarake

Sigurim jete për disa kategori punonjësish të Policisë Ushtarake

Këshilli i Ministrave vendosi sot për kategoritë e punonjësve të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët përfitojnë sigurim jete, si dhe masat dhe kriteret e përfitimit.

Sipas këtij vendimi, Ministria e Mbrojtjes siguron jetën e personelit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Kategoritë e personelit të Policisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që përfitojnë sigurim jete, janë punonjësit e sektorit të Policisë Kriminale; Inspektorati i Qarkullimit Rrugor; seksioni i Rendit Ushtarak; Inspektorati për Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin; Toga e Ruajtjes dhe Sigurisë së Personaliteteve në Kompaninë Operacionale të Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të Veçanta.

Sigurimi i jetës bëhet sipas kontratës që lidhet me shoqërinë e sigurimit, të përzgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Ky sigurim mbulon ngjarjet e humbjes së jetës për shkak të detyrës apo si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të saj; zhdukjes për shkak të detyrës; paaftësisë së përhershme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë ushtrimit të detyrës; paaftësisë së përkohshme, të plotë ose të pjesshme, si rezultat i një aksidenti gjatë ushtrimit të detyrës; shërbimeve mjekësore në spitalet publike ose private jashtë shtetit, kur mbulimet shëndetësore nuk ofrohen në spitalet publike brenda vendit.

Shuma e përcaktuar në kontratën e sigurimit, për çdo person të siguruar, nuk mund të jetë më e ulët se 10 milionë lekë, për rastet e humbjes së jetës për shkak të detyrës a zhdukjes së personit; 5 milionë lekë për rastet e dëmtimit të rëndë fizik; 50 mijë lekë për rastet e dëmtimit të lehtë fizik; 5 milionë lekë, për rastet e humbjes së jetës, si rezultat i aksidenteve gjatë ushtrimit të detyrës.

Po ashtu, tarifa e primit të sigurimit përcaktohet në kontratën e sigurimit, por nuk mund të jetë më e ulët se 0.5 %.

“Kushtet standarde të kontratës së sigurimit, përfshirë tabelën e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shërbejnë si kushte minimale, të detyrueshme për t’u zbatuar nga shoqëritë e sigurimeve”, thuhet në vendim.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments