Siguria kibernetike është tashmë prioritet dhe investime të tjera me rëndësi do të realizohen për të rritur mbrojtjen dhe kapacitetet. Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacinit (AKSHI), Linda Karçanaj, mori pjesë në një konference për sigurinë kibernetike në vend të mbajtur në Tiranë, organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe e koordinuar nga Autoriteti Kombëtar për CESK. Në konferencë ishte e pranishme edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tirane, Yuri Kim. Karçanaj theksoi se, SHBA po asiston Shqipërinë në këtë drejtim. “Përkrah aleatëve tanë amerikanë për të mundësuar më të mirën për Shqipërinë. Siguria kibernetike është tashmë prioritet kryesor dhe investime të tjera me rëndësi do realizohen për të rritur mbrojtjen dhe kapacitetet”, u shpreh Karçanaj në një postim në rrjetet sociale. Karçanaj vuri në dukje se, integriteti, përkushtimi, aftësitë teknike dhe më e rëndësishmja, bashkëpunimi me organizata të tjera qeveritare dhe partnerë teknologjikë është thelbësor. “Vendosja në prioritet e infrastrukturës sonë kritike dhe të punuarit së bashku është ajo çka do ta bëjë infrastrukturën dixhitale të këtij kombi të fortë dhe të paprekshme”, shtoi ajo. Në datën 15 korrik vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Autoritetet në vend deklaruan se sulmi nuk ia arriti qëllimit. Ndërkohë sistemet në pak ditë u rivunë të gjitha në punë. Pas hetimeve në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të antiterrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, autoritetet zbuluan se, sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit. Nisur nga kjo, qeveria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Qeveria vendosi largimin brenda 24 orësh të të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë edhe personelin e sigurisë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, në Shqipëri. ATSH
Siguria kibernetike, prioritet mes SHBA-së dhe Shqipërisë
RELATED ARTICLES